117 vjet Skënder Petro Luarasi, Nderi i Kombit që nuk u pajtua me mendjengushtët

 

skenderi

Më 19 janar 1900 u lind në Luaras të Kolonjës  Skënder Petro Luarasi. Ka kryer arsimin fillor shqip në Korçë e Negovan (1909-1911) dhe më pas studjoi në Robert College, Stamboll, Turqi (1912-1913), Internacional Kolegj-Springfield Mass etj, në ShBA (1916-1920), kreu Gjimnazin Klasik, Fraishtadt, Austri (1922-1926) dhe u diplomuar në Fakultetin e Filologjisë, Vjenë, Austri më 1930.

Skënder P. Luarasi e ka nisur aktivitetin letrar që në moshën 17-vjeçare. Brezi përparimtar i viteve 30-të e dallon si arsimtar, publicist, gazetar, përkthyes, dramaturg dhe si drejtues e bashkëpunëtor i disa organeve të shtypit përparimtar. Ai ka qenë editor-përgjegjës në revistat: Studenti ShBA, 1920, Djalëria, Austri, 1927-1928 dhe kryeredaktor i revistës Vullnetari i Lirisë Spanjë, 1937, organ i vullnetarëve shqiptarë në luftën antifashiste të Spanjës.

Mbas çlirimit të vendit, është nismëtar në themelimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe anëtar i Kryesisë deri në nëntor 1949, kur u përjashtua për disa vjet nga Lidhja për qëndrimin e tij antikonformist ndaj metodave e qëndrimeve jodemokratike që ndiqte Kryesisë e Lidhjes në fushën e letërsisë e të arteve e nënshtruar ndaj diktatit të partisë në pushtet. Deri në vitin 1992 veprimtaria e tij (monografi, publicistikë, drama, studime dhe kritikë letrare e historike) botohej pjesërisht (kryesisht përkthimet) dhe nuk analizohej nga pikëpamja shkencore.

Për veprimtarinë e tij të shquar patriotike- antifashiste-demokratike, edukative e letrare është nderuar me urdhrat e lartë : Urdhëri i Flamurit (1960) dhe Nderi i Kombit (1996).  Ai vdiq më 27 prill 1982.

Pin It