Sujuti numëron më shumë se njëzet persona që e kanë mësuar përmendësh Shpalljen që në të gjallë të Profetit (a.s.), ndërmjet të cilëve: Ebu Bekër Sidiku, Aishja, Omer bin Hattabi, Hafsaja, Othman bin Affan, Ali bin Ebi Talibi, Abdullah bin Mesud, Ummu Selema, Ebu Hureira, Abdullah bin Abbasi, Abdullah bin Amër bin el-Asi etj. Sipas Katadës, një hadith tjetër na informon se
shokët e Profetit (a.s.) e kishin mësuar Kuranin përmendësh dhe e kishin rishikuar tërësisht së bashku me të para se ai të ndërronte jetë.
“E kam pyetur Enes bin Malikun: “Kush e ka përmbledhur Kuranin në kohën e Profetit (a.s.)?” Dhe ai m’u përgjgj: “Katër vetë, të cilët ishin që të gjithë ensarë: Ubej bin Ka’bi, Mu’adh bin Xhebeli, Zejd bin Thabiti dhe Ebu Zejdi.” (El-Buhâri)
Një numër i madh tregimesh historike përkujtojnë vdekjen e disa shokëve të Profetit (a.s.), që u shquan për mësimin përmendësh pjesor apo tërësor të Kuranit. Kjo provon që të mësuarit përmendësh të Shpalljes ka qenë gjerësisht i praktikuar gjatë kohërave të para të Islamit, në të gjallë të Profetit (a.s.) e aq më tepër pas vdekjes së tij. Dhe kjo traditë ka vazhduar nëpërmjet Shokëve të tij dhe pastaj dhe nga brezat vijues me një besnikëri të paluhatur kurrë deri në ditët tona.