Agjërimi si edhe namazi, numërohet ndër shprehitë më të larta të devotshmërisë – përkushtimit. Ai është bindje e besimit të vërtetë, pa dyfytyrësi e hipokrizi. Muhammedi (s.a.s) thotë: “I vetmi ibadet që nuk ka dyfytyrësi është agjërimi!”
Mëshira e Allahut në veçanti është e mjaftueshme në Ramazan, sepse agjëruesit jo vetëm që heqin dorë nga ngrënia, pija dhe dëshirat tjera, por edhe nga të gjitha punët e këqija dhe irrituese. Atëherë, te njerëzit zhvillohet një ndenjë e posaçme e solidaritetit, e merhametit dhe e bamirësisë. Besimtari në këtë muaj më tepër se kurrë, ndjen nevojën për të bërë vepra të mira.
Flijimi që njeriu e bën në emër të Allahut është masë e imanit të tij. Sa më e madhe të jetë sakrifica në emër të Allahut, aq më i sinqertë dhe më i thellë është besimi. Për këtë arsye agjërimi është edhe flijim i dëshirave dhe endjeve të caktuara, që njëkohësisht është ndër dëshmitë më të forta të imanit të sinqertë të myslimanit…