Bojkoti i avokatëve në të gjithë Shqipërinë ka hyrë në ditën e tij të dytë. Me iniciativë të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, avokatët kanë bojkotuar nga dje seancat gjyqësore në të gjitha gjykatat e vendit, pasi ata janë kundër ligjit për pagat e referencës të miratuar me vendim qeverie.
Në ditën e dytë të bojkotit, vetëm në Tiranë janë shtyrë 120 gjyqe ndërsa mbi 300 të tjera u anulluan dje. Mes seancave të shtyra, në Gjykatën e Krimeve të Rënda është ajo e “Bandës së tritolit”, gjyqi për “Kastriot Ismailajn” dhe gjyqi për “Ilir Kupën”. Bojkoti i avokatëve, do të zgjasë edhe nesër. Një ditë më parë, kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë Maks Haxhia tha në Report Tv se bojkoti ka si qëllim mbrojtjen e avokatëve të rinj nga falimentimi, ndërsa kanë dërguar në Gjykatë Kushtetuese kërkesën për shpalljen të pavlefshme të ligjit “Për kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore”.