Për ta njohur edhe më mirë Atë, Zoti ynë i madh bën fjalë në Kur’an për atributet e veta. Për t’i besuar Allahut ashtu siç duhet, duhet t’i njohim edhe atributet e Tij.
Shkalla e parë e intuitës së njohjes së Zotit është vështrimi dhe ndjerja e emrave ose atributeve hyjnore që na rrethojnë nga të katër anët.
Me që nuk mundemi ta njohim dhe ta mendojmë individualitetin dhe cilësinë e Allahut, e njohim atë me anë të emrave dhe atributeve dhe ashtu e besojmë. Lidhur me këtë çështje, në Kur’an urdhërohet:
“Shikimet nuk mund ta shohin Atë, por Ai i sheh shikimet. Ai i njeh mirë sendet dhe ka dijeni për gjithçka!” [Surja En’am, 103].
Edhe Profeti ynë ka folur për këtë. Ai ka thënë: “Mendoni për krijesat e Allahut, por mos mendoni për personin e Allahut. Padyshim ju s’keni aspak fuqi për këtë!”(Axhluni, Keshfu’l – Hafa, I, 371).
Zoti është krejt tjetër nga gjërat që ka krijuar, nga e vërteta dhe relativiteti i tyre. Në këtë botë të kufizuar, njeriu mendon në mënyrë të kufizuar, sheh në mënyrë të kufizuar, dëgjon në mënyrë të kufizuar.
Arsyeja njerëzore e ka të pamundur të depërtojë në thelbin e Allahut përmes të menduarit dhe meditimit, sepse forca e mendjes dhe e imagjinatës së njeriut është tejet e kufizuar. Tek dëgjojmë të trokitura në derë, ne e kuptojmë se përpara saj dikush qëndron, por nuk jemi në gjendje ta përfytyrojmë as pamjen e tij të jashtme, as natyrën që ai ka, aq më pak mund ta përfytyrojmë se ç’përfaqëson si njeri ai që troket në derë. Po ashtu ne e kemi të pamundur përcaktimin e asaj se ç’përfaqëson Allahu, as që mund të bëhet fjalë për të depërtuar në thelbin e qenies së Tij, ndonëse në thellësi të shpirtit tonë ne sinqerisht besojmë në qenien e Tij. Myslimanët mësojnë për Allahun nga Kurani dhe nga Suneti duke u njohur dhe me emrat që e lartësojnë Atë, me vetitë që e karakterizojnë Atë. Dhe Allahu është i pastruar nga çdo e metë, Ai nuk ka asnjë mangësi, për këtë arsye edhe emrat që Ai ka përmbajnë të ngërthyera brenda vetes veti nga më të përsosurat e më të lartësuarat.
Gjithësia është mijëra gjuhë dhe mijëra akorde që na e kujtojnë këtë. Kur’ani, me gjuhën e tij oratorike, është përkujtuesi më i madh, kurse Profeti ynë – kumtuesi më i shkëlqyer i kësaj!
Burimi: urtesi.al