Besimtarët myslimanë festojnë Kurban Bajramin

ZK1A2866

Besimtarët myslimanë festojnë sot festën e Kurban Bajramit. Ceremonia e Bajramit u organizua si çdo vit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku mijëra besimtarë myslimanë falën namazin e Kurban Bajramit, ndërsa qindra-mijëra të tjerë kanë festuar dhe kryer faljen në sheshet e qyteteve të ndryshme të vendit.

Para faljes së namazit të Kurban Bajramit, besimtarët ndoqën një program të shkurtër gjatë të cilit u përcollën mesazhe urimi dhe paqeje. Programi filloi me këndimin e një pjese nga Kur’ani Famëlartë. Më pas ceremonia vijoi me fjalën përshëndetëse të kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, i cili uroi besimtarët myslimanë dhe gjithë shqiptarët për më shumë mirësi, harmoni, paqe dhe dashuri mes njëri-tjetrit.

“Kjo ditë e madhe, Kurban Bajrami, vjen sot për t’i sjellë botës mesazhin e respektit, tolerancës, dashurisë dhe sakrificës. Kjo është dita kur i shërojmë plagët që i kemi shkaktuar njëri-tjetrit me buzëqeshje dhe gëzim, me paqe dhe vëllazëri. Urimet dhe vizitat e Bajramit janë tradita të vyera të popullit tonë, të cilat kanë lënë gjurmë të thella e të pashlyeshme. Nisur nga kjo, le të shërbejnë këto ditë feste për më shumë mirësi, harmoni, paqe dhe dashuri mes njëri-tjetrit, në të mirë të shoqërisë, kombit dhe gjithë njerëzimit”, u shpreh Bruçaj.

Pas faljes së namazit të Kurban Bajramit besimtarët dëgjuan ligjëratën e posaçme nga Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, i cili i ftoi njerëzit drejt solidaritetit dhe drejtësisë.

“Në ditën e Bajramit bashkohemi së bashku për të përcjellë falënderimet dhe mirënjohjet ndaj Allahut xh.sh. Kurban Bajrami është dëshmia e përkushtimit tonë ndaj krijuesit, dëshmia e solidaritetit dhe bindjes. Në këtë festë ne duhet ti themi jo indiferencës sociale. Të lehtësojmë të tjerët dhe të jemi me të drejtën. Bardhësia e shpirtrave të myslimanëve në këtë shesh dhe në sheshet e gjithë botës është drejtuar me lutje dhe përgjërime ndaj të Madhit Zot”, tha ndër të tjera Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra.

Mesazhe respekti e mirëkuptimi përcollën edhe folësit e tjerë, të cilët vlerësuan Kurban Bajramin si formues të një tradite që nxit përkrahjen dhe ndihmën reciproke ndaj njëri-tjetrit, për një familje dhe shoqëri të shëndoshë.

Në fund, besimtarët shkëmbyen mes tyre urimet më të përzemërta për këtë festë të dashurisë dhe sakrificës. Mes urimesh dhe lutjesh besimtarët u larguan nga sheshi për të kryer obligimin e bërjes së kurbanit, si dhe për të kryer vizita te të afërmit e tyre.

Për besimtarët myslimanë Kurban Bajrami është festa që simbolizon sakrificën sublime të profetit Ibrahim, dorëzimin tek Krijuesi dhe vendosjen e dashurisë hyjnore mbi atë njerëzore. Me emrin e kësaj feste janë të lidhura ngjarje madhore që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë, si: rindërtimi i Qabes, haxhi, emërtimi “mysliman”, etj. Kurban Bajrami ka një rëndësi të veçantë edhe nga aspekti shoqëror, pasi fton njerëzit të ndihmojnë nevojtarët dhe të forcojnë lidhjet me të afërmit.

12 Shtator 2016

ZK1A2871

  ZK1A2779 ZK1A2732ZK1A2750ZK1A2819   ZK1A2938ZK1A2868 ZK1A2880 ZK1A2875ZK1A2914  ZK1A2988

Pin It