Islami përmes Kuranit dhe Sunetit bëhet rregullator i besimit, veprave, adhurimeve, moralit dhe jetës së besimtarëve në këtë botë dhe në tjetrën, në të njëjtën kohë, nëpërmjet rreshtave, i pëshpërit botës sonë mendore, zemrës, shpirtit, emocioneve, ndërgjegjes dhe arsyes, nga një botë dimensionesh të tjera, duke sjellë në thellësitë e personalitetit tonë fllade të amshueshme dhe kolorit hyjnor. Në këtë mënyrë, në çdo moment, Islami rigjallëron njerëzimin edhe një herë në një dimension të ndryshëm. Kështu, ne e shohim veten në pozicionin e mëkëmbësit të Zotit, në një pozicion që na lejon të ndërhyjmë në fenomenet natyrore dhe të kuptojmë dhe të vëzhgojmë misteret e ligjeve të natyrës. Mandej ne aftësohemi të perceptojmë librin e universit që buron nga Vullneti dhe Fuqia Hyjnore dhe nga fjalët që burojnë nga atributi i Tij Hyjnor, Kelam (Ligjërues), nëpërmjet shpalljes, si dy anë të së njëjtës medalje. Vetëm kështu ne jemi në gjendje të përmirësojmë mendimet dhe konceptet tona, veprimet dhe sjelljet, konsideratën për këtë botë dhe tjetrën, në përputhje me ekuilibrin e vendosur ndërmjet qiejve dhe tokës.