Partia Konservatore e Theresa May ka humbur shumicën parlamentare pas zgjedhjeve të përgjithshme të së enjtes në Britani, duke u detyruar të lëshojë mbi 10 vende në Parlament.
Rezultati shokues për kryeministren ka sjellë nga ana tjetër një avancim të laburistëve në opozitë. Përfundimi i papritur i një fushate të mbushur me parashikime për fitore historike të konservatorëve, ka ngritur menjëherë pikëpyetje nëse May duhet të vazhdojë ta ruajë pozicionin e saj në Downing Street apo duhet të dorëhiqet.
Ai po kështu rrezikon të çorientojë planet e kushteve të largimit nga Bashkimi Europian, duke rrezikuar ta lërë Britaninë të paorganizuar vetëm disa ditë përpara fillimit të bisedimeve me liderët europianë.
Ishte vetë May ajo që i kërkoi zgjedhjet e parakohshme, me qëllimin të forconte pozitat e saj në negociatat e Brexit-it, ndaj rezultati konsiderohet poshtërues për të. Parlamenti anglez ka 650 deputetë dhe për të formuar shumicën parlamentare, partive u duhet një minimum prej 326 deputetësh.
Konservatorët kanë mundur të marrin vetëm 318 të tilla, ndërsa dy vjet më parë kishin arritur të siguronin 331 vende.