Gjyqtarë dhe prokurorë 30 ditë afat për deklarimin e pasurive

2251289

Hyn zyrtarisht në fuqi ligji më i rëndësishëm i Reformës në Drejtësi, ai për rivlerësimin kalimtar të prokurorëve dhe gjyqtarëve, i quajtur ndryshe ligji i Vetingut. Një ditë pas zbardhjes nga ana e Gjykatës Kushtetuese, vendimi që konfirmon ligjshmërinë e ligjit të Vetingut, është botuar në Fletoren Zyrtare, duke hyrë në fuqi menjëherë. “Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, botuar në Fletoren Zyrtare, mesditën e djeshme. Ndërkaq, me hyrjen në fuqi të vendimit, ka hyrë automatikisht në fuqi edhe ligji i Vetingut, i cili ishte pezulluar nga Gjykata Kushtetuese në 25 tetor të vitit të kaluar. Nga ana e saj, vetëm 3 ditë para se të skadonte afati i parashikuar në ligj, Gjykata Kushtetuese, vendosi publikimin e vendimit dhe zhbllokimin e ligjit pas tre muajsh “ngrirje”.

800 gjyqtarë dhe prokurorë do t’i nënshtrohen skanerit të trefishtë të Vetingut për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet e papërshtatshme me krimin dhe testimin e aftësive profesionale. Sipas juristëve, llogaritja e afateve për gjyqtarët dhe prokurorët, për dorëzimin e deklaratave të pasurive, nis nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit, pra nga dita e djeshme. Në këto kushte, njerëzit e drejtësisë do të kenë 30 ditë afat, për të dorëzuar pranë ILDKPKI deklaratën me pasurinë e plotë dhe dokumentacionin ligjor justifikues.

Nga ana tjetër, ILDKPKI fillon menjëherë procedurën e kontrollit. Nëse subjekti i rivlerësimit është në pamundësi objektive për të disponuar dokumentin që justifikon ligjshmërinë e krijimit të pasurive, duhet t’i vërtetojë institucionit të rivlerësimit se dokumenti është zhdukur, ka humbur, nuk mund të bëhet përsëri ose nuk merret në rrugë tjetër. Nëse subjekti i rivlerësimit ose personat e lidhur kanë pasuri jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, ai paraqet deklarimet bankare të viteve të fundit, të dhënat e fundit mbi regjistrimin e pasurisë ose dokumente të tjera që tregojnë vlerën e pasurive që ndodhen jashtë shtetit.

Prokurorët dhe gjyqtarët, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit të Vetingut, plotësojnë formularin për kontrollin e figurës dhe e dorëzojnë pranë Drejtorisë së Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar. Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Shërbimi i Kontrollit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, krijojnë një grup pune për verifikimin e vërtetësisë së deklaratave të prokurorëve dhe gjyqtarëve, për lidhjet e papërshtatshme me botën e krimit. Sipas ligjit, DSIK, me kërkesë të grupit të punës ose të institucioneve të rivlerësimit, ka të drejtë të komunikojë me shtetet e tjera për të marrë informacionin e nevojshëm për personat e përfshirë në krimin e organizuar ose për personat e dyshuar si të përfshirë në krimin e organizuar për qëllim të këtij ligji. Grupi i punës, verifikon identitetin në të shkuarën dhe të tashmen, për çdo individ, verifikon nëse ka tendenca kriminale për përfshirjen në krimin e organizuar, bën një vlerësim të përgjithshëm, nëse individi mund të vihet nën presion nga struktura Kriminale si dhe kontrollon nëse ka qenë, është ose tenton të angazhohet fshehurazi, vetëm, në bashkëpunim, ose në përbërje të një organizate kriminale.

Pin It