Madhështia e muajit të Ramazanit është e pa diskutueshme. Ditët dhe netët e këtij muaji të bereqetshëm dallohen nga ditët e netët e tjera të vitit. Por edhe brenda tyre dallohet një natë që quhet “Nata e Kadrit”.
U quajt Kadr sepse kjo është një natë e lartë tek i Madhi Zot dhe se në të falen gjynahet më së shumti dhe mbulohen të këqijat, pra kjo është natë e Magfiretit-mëshirës. Dijetarët islamë e quajtën “festë ndër më të respektuarat, natë e paqes, e mirësisë së përgjithshme, e shpërblimit të pashembullt”.
Njëra prej madhështive të kësaj nate është edhe hapja e dyerve të qiejve për të pranuar lutjet e atyre që i drejtohen Zotit të tyre që t’u zgjidhur hallet, për t’u larguar vështirësitë dhe për t’u sjellë gëzim.
Kjo natë është më e mirë dhe më e vlefshme se një mijë muaj të tjerë. Dhe 1000 muaj bëjnë 83 vjet e 4 muaj. Duke ditur se jeta mesatare e njerëzve në këtë botë nuk i kalon të 74 vjetët, do të thotë se kjo natë është më me vlerë se tërë jeta e njeriut.