Çdo gjë duhet t’i kushtohet lumturisë së njerëzimit. Njeriu është zëvendësi i Zotit mbi tokë dhe qendra e vëmendjes e Tij. Allahu e ka rregulluar gjithësinë për njeriun dhe sipas tij. Nisur nga kjo, edhe qytetërimet duhet të jenë për njeriun dhe në çdo qytetërim, synimi i tij duhet të jetë njeriu. Së pari, njeriu është qenia më e respektuar. Kur’ani thotë:
“Pa dyshim, ne e bëmë njeriun të nderuar e të respektuar. I bartëm ata (me anë të mjeteve të ndryshme) në tokë e në det, i furnizuam ata me gjëra nga më të mirat dhe, ndërkaq, disa prej tyre i lartësuam ndaj shumicës.” [Surja Isra, 70]
Këtë të vërtetë të Kur’anit, një dijetar e shpreh në vargje duke thënë:
“Shihe mirë veten tënde që je i zgjedhuri i gjithësisë ti,
O njeri, bebeja e syrit e gjithësisë je ti.”
Për Allahun, njeriu është një qenie e respektuar. Të gjitha qytetërimet, të gjitha sistemet politike, ekonomike e kulturore s’janë gjë tjetër veçse një akt më vete i pranimit të vlerës së tij. Nga ky këndvështrim, pa u vënë si synim lumturia e njeriut, sistemet e ngritura nuk kanë asnjë vlerë dhe nuk kanë për të premtuar asgjë për njerëzimin!