Me urtësinë e Hz.Lukman…

Urtësia është një cilësi e Zotit, Ai është i Urti Absolut. Zoti u dha profetëve urtësi, por Zoti u jep urtësi edhe besimtarëve të mençur e të devotshëm.

Në Kuranin fisnik është përmendur një njeri, që ka shumë mundësi të mos ketë qenë profet, por ka qenë mjaft i urtë, madje emri i tij është “Lukman El Hakim – I urti Lukman”. Ka një sure në Kuran, që mban emrin e tij dhe në këtë sure tregohet historia e tij dhe e djalit të tij.

Lukmani ka qenë njeri pa shkollë, profesioni i tij ka qenë bari. Ai nuk kishte pushtet të madh dhe shpeshherë ecte këmbëzbathur, se nuk kishte çfarë të vishte. Njëherë pronari i tij i tha: “Lukman! Shko dhe there një dele, pastaj më sill gjënë më të shijshme që ka mishi i deles”. Lukmani pasi e theri delen, i solli pronarit gjuhën dhe zemrën. Më vonë pronari i tha përsëri: “Shko dhe there një dele, pastaj më sill gjënë më të hidhur që ka mishi i deles”. Lukmani e theri delen dhe përsëri solli gjuhën dhe zemrën.

Kur pronari e pyeti se si kishte mundësi që këto të ishin gjërat më të mira dhe njëkohësisht më të këqija, ai u përgjigj: “Nëse zemra dhe gjuha janë të mira, nuk ka gjë më të shijshme sesa ato, por nëse ato bëhen të hidhura, nuk ka më të hidhura sesa ato”.

Zoti e përmend Lukmanin në Kuran, kur ai i le disa porosi djalit të tij:

1- “O djali im, mos i përshkruaj Allahut shok”. O djali im, s’ka dyshim se edhe nëse ajo (vepra) peshon sa kokrra e lirit, e të jetë e fshehur në rrasë guri, ose në qiej apo në tokë, Allahu do ta sjellë atë, se Allahu është i butë dhe hollësisht i informuar”.

2- “O djali im, fale namazin, urdhëro për punë të mira, e ndalo nga të këqijat, përballo me durim çdo gjë që të godet, vërtet, këto janë nga çështjet më të preferuara.”

3- “Dhe mos shtrembëro fytyrën tënde prej njerëzve, mos ec nëpër tokë kryelartë, se Allahu nuk e do asnjë mendjemadh e që shumë lavdërohet. Të jesh i matur në ecjen tënde, ule zërin tënd, se zëri më i egër është zëri i gomarit…”

Burimi: profetimuhamed.info

Pin It