Në kohën e kalifatit të Hz. Omer (r.a), një burrë kishte ankesa ndaj bashkëshortes së tij, sepse ajo ia kthente shumë fjalën dhe vendos që të shkojë të qajë hallin te Hz. Omer duke i shkuar te shtëpia. Kur u afrua te dera, dëgjon nga brenda një zë gruaje të nevrikosur që fliste ashpër. Kështu, pa i rënë derës pendohet që kishte shkuar deri atje dhe kthehet mbrapsht duke menduar se në shtëpinë e kalifit fliste vetëm gruaja dhe burri heshtte, e në këtë mënyrë vendosi që të ikte.
Sapo ktheu kurizin për t’u larguar, Hz. Omer hap derën e shtëpisë, sheh burrin që po largohej dhe i thotë: “O filan! Pse erdhe dhe po ikën ende pa folur me mua? A kishe ndonjë hall?”
Burri nga ana tjetër ia kthen: “O Omer! Unë erdha gjoja të ankohesha për tim shoqe, por mesa pashë, as vetë kalifi nuk i bën zë të shoqes së tij, kur ia kthen fjalën. Dhe mendova me vete: ‘Kur qenka puna kështu, po unë pse ankohem kot?’ dhe vendosa të kthehem andej nga erdha.”
Kur dëgjoi këto fjalë, Hz. Omer i tha: “Ajo është zonja e shtëpisë sime dhe nëna e fëmijëve të mi. Ajo na gatuan, na lan e pastron dhe rregullon shtëpinë tonë. Ajo i bën këto me zemër të pastër dhe pa ankesa. Lodhet mjaftueshëm dhe nuk më ka hije që ta rëndoj me ndonjë fjalë me tepër…”