Ndotja e ajrit nga përdorimi i makinave të vjetruara përbën një nga problematikat më të zakonshme në jetën e përditshme të qytetarëve të Tiranës.
Nisur nga kjo, Ministri i Turizmit Z. Blendi Klosi ka thënë para mediave se duke filluar që nga janari i vitit 2018-të do të hyjë në fuqi ligji për importimin e makinave që plotësojnë vetëm standardet “Euro 4”, 5 dhe 6 të shkarkimeve në ajër.
Sipas tij, shëndeti publik nuk mund të vazhdojë të rrezikohet më nga makina të cilat nuk plotësojnë as kushtet minimale të djegies së karburantit e që njëkohësisht përbëjnë një përqindje të konsiderueshme në numrin e automjeteve që përdoren nga qytetarët. Janë rreth 560 mijë automjete me mbi 20 vjet vite përdorimi.
Këtë fakt e pohon edhe ISHP të cilët bëjnë me dije se ndotja e ajrit është bërë shkak i përhapjes së rreth 40 sëmundjeve të reja tek qytetarët.
Ky ndryshim në importimin e makinave nga jashtë vjen në kuadër të një sërë nismash që janë marrë nga kjo ministri në kuadër të përmirësimit të kushteve të jetesës. Kujtojmë se në këtë projektvendim përfshihet edhe rëndësia e përmirësimit të cilësisë së karburantit që tregtohet nga bizneset e shumta në vend.