Vlorë: Ngrin laguna e Nartës, shkaktohen dëme të mëdha në speciet ujore

auto_Narta1484064437

Prej 6 ditësh, Laguna e Nartës, rreth 10 km në veriperëndim të qytetit të Vlorës, është nën pushtetin e plotë të ngricave.

Shtresa e akullit, e krijuar si pasojë e vlerave të ulëta të temperaturave që kanë shkuar më poshtë se -5 gradë C, ka mbuluar të gjithë hapësirën ujore prej disa dhjetra hektarësh. Për pasojë, janë shkaktuar dëme të mëdha në rezervat e peshkut në këtë zonë, aq sa, peshkatarët shprehen se, “gjithçka ka ngordhur”.

Është dita e gjashtë, që banorë të ndryshëm të zonës, por jo vetëm, ngulmojnë të nxjerrin nga ky mjedis ujor i akullt, peshqit pa jetë. Me varka të vogla, apo me veshje mbrojtëse nga uji, ata kërkojnë në një hapësirë të gjerë, ku thellësia shkon deri në 50 apo 70 cm, për të gjetur peshqit e mbetur

“Është diçka e rëndë dhe e pangjarë më parë”, thotë për ATSH-në Panajot Thanasi, një nga peshkatarët e zonës, i cili shton se, ndoshta kjo situatë mund të ishte parandaluar pjesërisht.

Sipas tij, të paktën 10 ditë përpara se moti të përkqeësohej dhe të uleshin vlerat e temperaturave, duhej të hapeshin dalanët dhe të lihej i lirë komunikimi i lagunës me detin. “Peshqit kërkojnë ujra më të ngrohta dhe natyrisht që do të largoheshin për t’i shpëtuar kësaj situate”, thotë Thanasi.laguna1

Sipas peshkatarëve, tabloja e këtyre ditëve në këtë lagunë është e paprecedentë. Të moshuarit thonë se, mund të ketë ndodhur diçka e ngjashme ndoshta në vitin 1968. Por, gjithsesi, jo në këto përmasa. Mund të ketë qenë ndoshta një ditë që janë shfaqur ngricat në lagunë, ashtu siç ndodhi edhe në dimrin e vitit 2000. Gjendja për momentin duket e rëndë. Por, ajo që është më shqetësuese lidhet me perspektivën.

Normalizimi i parametrave dhe të florës dhe faunës në këtë mjedis të rrallë natyror, ndoshta do të kërkojë vite. Kjo, veçanërisht për lloje të tilla peshqish si kocja, lavraku, apo qefulli, që janë banorët më të zakonshëm të botës nënujore. Ndërkohë, që situata është e ndryshme dhe më optimiste për ngjalat, që i kanë shpëtuar pasojave të shkaktuara nga akulli.

“Do të nevojiten të paktën 3 ose 4 vjet që, kocja, lavraku, apo qefulli, të rikthehen si banorë këtu në lagunë”, thonë peshkatarët e kësaj zone.

Pin It