Zgjedhjet 2017-KQZ cakton selitë e KZAZ-ve dhe ngritjen e Zyrave Rajonale

auto_kqz1480491172

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ) po vijon përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit me miratimin e një sërë vendimesh, në funksion të këtij procesi.

Në mbledhjen e së enjtes Komisioni vendosi caktimin e njësive administrative, si vendndodhje për selitë e 90 Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), e cila është e njëjtë me ato që funksionuan gjatë zgjedhjeve lokale 2015.

Eksperienca e dy viteve më parë dëshmoi se caktimi i selive të KZAZ-ve në njësitë administrative, me vendndodhje gjeografike në qendër të ZAZ-së, siguroi lehtësi logjistike në raport me qendrat e votimit dhe me Vendet e Numurimit të Votave.

Në mbledhjen e sotme KQZ miratoi dhe ngritjen e Zyrave Rajonale Zgjedhore(ZRZ) në 12 qarqet e vendit, të cilat do të funksionojnë përgjatë periudhës 18 shkurt-18 korrik 2017. ZRZ-të janë të përkohshme dhe funksionojnë për një periudhë pesëmujore, në çdo rast jo më vonë se një muaj pas ditës së zgjedhjeve. Personeli i tyre përbëhet nga inspektori dhe ndihmës inspektori rajonal
Funksionimi i ZRZ-ve siguron një shtrirje më të madhe të prezencës së KQZ-së në territorin e vendit dhe i shërben koordinimit më të mirë dhe më efikas midis KQZ-së dhe komisioneve zgjedhore të niveleve më të ulëta, në funksion të mirëadministrimit të proçesit zgjedhor dhe rritjes së transparencës në veprimtarinë e KQZ-së.

Pin It